Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.
Në një deklaratë zyrtare, ambasada thekson se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet i lidhur ngushtë me luftën efektive kundër korrupsionit, përfshirë edhe rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë.
Në reagim thuhet se Holanda mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, në përputhje me vullnetin e qytetarëve shqiptarë, por thekson se ndjekja penale e korrupsionit është një nga kushtet kryesore për përparimin në këtë proces.
Ambasada nënvizon gjithashtu se pret që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të mund të veprojë shpejt dhe pa pengesa, ndërsa përgjegjësia për të garantuar këtë proces mbetet te politika shqiptare.
Reagimi i Holandës vjen pas vendimit të shumicës në Kuvend për të mos i dhënë autorizimin SPAK-ut për arrestimin e Ballukut, një çështje që ka ndezur debat të fortë politik dhe reagime ndërkombëtare.
Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri shprehet:
“Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me dëshirën e popullit shqiptar. Një kërkesë kyçe për progres në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja penale efektive e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta.
Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të garantuar këtë proces.”









