Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavaci, ka njoftuar të premten se partia e saj do të çojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke e konsideruar akt të paprecedent dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.
“Nuk ka asnjë arsye pse një akt i tillë të ndodhte sot në mëngjes,” tha Nagavaci gjatë një konference për media. Sipas saj, LVV-ja ka ofruar vazhdimisht alternativa për të shmangur zgjedhjet e parakohshme, duke argumentuar se “barrikadimi me jo-në e vazhdueshme është i padobishëm dhe i panevojshëm.”
LVV-ja ka fituar mbi 51% të votave në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Nga ana tjetër, Presidentja Osmani tha se shpërndarja e Kuvendit është një veprim i domosdoshëm për të përmbushur detyrimin kushtetues, pasi sipas saj deputetët “vendosën ta çojnë vendin në zgjedhje”.
“Është fatkeqësi e madhe që deputetët nuk zgjodhën interesin e Kosovës. Përpjekjet e dështuara të një nate më parë për zgjedhjen e presidentit nuk ishin rastësore, por shumë mirë të kalkuluara,” deklaroi Osmani.
Ajo theksoi se neni 86 i Kushtetutës përcakton që presidenti i ri duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, ndërsa mandati i saj përfundon më 4 prill 2026.









