Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, konfirmoi se tenderi për ndërtimin e Portit të Ri Tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme pjesëmarrëse në garë u tërhoq nga procedura.
Gjatë prezantimit të vendimeve të marra në mbledhjen e qeverisë, Karakaçi sqaroi se tërheqja e ofertuesit lidhet me arsye ekonomike dhe me rritjen e ndjeshme të kostove të ndërtimit, të shkaktuara nga kriza e fundit globale.
“Është bërë edhe publike në disa media tërheqja e ofertuesit të vetëm në këtë garë. Po, kemi një tërheqje për arsye krejtësisht ekonomike për shkak të rritjes së kostove dhe efekteve të krizës. Kontraktori është tërhequr dhe komisioni do të vijojë me procedurat përkatëse”, u shpreh ministri.
Sipas tij, projekti për portin e ri mbetet prioritet strategjik për qeverinë dhe nuk do të braktiset. Karakaçi theksoi se institucionet do të punojnë për të ndërtuar një skenar të ri për realizimin e investimit.
Ministri kujtoi gjithashtu deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama, i cili kishte paralajmëruar se projekti për Portin e Porto Romanos po përballet me tentativa për ta penguar apo sabotuar.
“Do të ndërtohet një skenar tjetër dhe projekti do të realizohet, sepse është një projekt me rëndësi të veçantë infrastrukturore për vendin”, theksoi Karakaçi.
Porti i ri në Porto Romano konsiderohet një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri, i cili synon të zhvendosë aktivitetin tregtar nga porti aktual i Durrësit dhe të krijojë një nyje moderne logjistike për transportin detar dhe tregtinë rajonale.









