Berisha tjetër denoncim për kryeministrin: Rama ‘e thirri në hotel’ zyrtarin britanik për t’i kërkuar bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE!”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për lobim të fshehtë që, sipas tij, synonte të pengonte avancimin e Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

Në një deklaratë të fortë publike, Berisha pretendoi se Rama kishte zhvilluar një takim të “sekret” me një zyrtar britanik në hotel, duke kërkuar që Shqipërisë t’i vonohej statusi i vendit kandidat për gjashtë muaj, në mënyrë që merita e progresit të mos i atribuohej qeverisjes së Partisë Demokratike.

“Shkoi në Londër dhe kërkoi takim me drejtorin e Foreign Office për rajonin. Pala britanike i tha se nuk mund të ndodhë, sepse një kryeministër nuk mund të pritet nga një drejtor. Por ai nuk pranoi dhe u zhvillua takimi në hotel. Kërkesa e tij ishte të bllokonim statusin e kandidatit dhe ta jepnim pas 6 muajsh që të mos dukej si punë e PD. Zyrtari britanik mbeti i habitur dhe mori shënime, të cilat më pas iu transmetuan ambasadorit tonë”, tha Berisha.

Ai akuzoi Ramën se po vepron në interes personal dhe jo të vendit:

“Ky është llumi dhe tradhtia më e madhe ndaj shqiptarëve. Ai ëndërron pasaportën europiane me atë të Serbisë dhe vepron si ndaj Kosovës Enver Hoxha. Sot interesi suprem i shqiptarëve është integrimi në BE, por ai e shkelmon këtë interes për të mbrojtur ambicjet e tij personale.”

Deklarata e Berishës thekson edhe një herë tensionin mes partive për procesin e integrimit evropian dhe pretendimet për ndërhyrje diplomatike të fshehta.