BE i thotë JO propozimit “Rama-Vuçiç” – Komisioneria Marta Kos, qartësoi: Integrimi i Ballkanit në BE nuk mund të jetë i shpejtë

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, ka hedhur poshtë propozimin e përbashkët të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq për integrim të shpejtë të vendeve të Ballkanit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe zonën Schengen.

Në një intervistë për Politico gjatë Samitit të Evropës Konkurruese në Bruksel, Kos theksoi se procesi i anëtarësimit është kompleks dhe kërkon përmbushjen e reformave të thella, duke shtuar se ambicia e disa vendeve për anëtarësi të shpejtë është e pamundur për momentin.

“Që nga diskutimet e para me shtetet anëtare, opsioni i tretë – integrimi i menjëhershëm – nuk është i pranueshëm. As status quo-ja nuk ofron alternativë. Ne po shqyrtojmë një rrugë që mund të përshpejtojë procesin përmes një integrimi gradual më të thelluar,” tha Kos.

Sipas saj, procesi i reformave të nevojshme për të përmbushur kriteret e Schengenit dhe të Tregut të Përbashkët nuk mund të shmanget. Ajo gjithashtu përmendi se vende si Islanda, për shkak të integrimit të saj përmes EEE-së, mund të përshpejtojnë disa hapa, ndërsa për vendet e tjera, përfshirë Ukrainën, një integrim deri më 1 janar 2027 konsiderohet i pamundur.

Tre opsionet që po shqyrton Komisioni Evropian janë: të mos ndryshohet sistemi aktual, integrim gradual dhe integrim i fazuar. Opsioni i parë nuk sjell progres, opsioni i tretë konsiderohet revolucionar dhe i papranueshëm, ndërsa integrimi gradual shihet si rruga më realiste për të përshpejtuar procesin pa shkelur standardet e BE-së.

Kos theksoi gjithashtu rëndësinë e stabilitetit dhe respektimit të vlerave evropiane, duke nënvizuar se integrimi nuk mund të realizohet pa plotësimin e standardeve demokratike dhe ekonomike të kërkuara.