Banka e Shqipërisë licencon Jet Bank: Nis faza e testimit për bankën e parë 100% digjitale

Jet Bank ka përfunduar me sukses procesin e licencimit nga Banka e Shqipërisë, duke marrë dritën jeshile për të operuar plotësisht në tregun shqiptar. Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt sjelljes së modelit të parë të bankimit tërësisht digjital në vend.

Licencimi vjen pas një procesi të detajuar vlerësimi, ku institucioni ka përmbushur standardet rregullatore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe kërkesat për siguri, transparencë dhe stabilitet financiar.

Në fazën e radhës, banka do të nisë testimin e aplikacionit, i cili do të jetë i aksesueshëm fillimisht për një grup të përzgjedhur përdoruesish. Qëllimi i kësaj periudhe është mbledhja e komenteve mbi përvojën e përdorimit, funksionalitetet dhe performancën e platformës në kushte reale.

Drejtoresha ekzekutive e bankës, Fatbardha Rino, theksoi se fokusi kryesor pas licencimit është garantimi i një eksperience të thjeshtë, të shpejtë dhe të besueshme për klientët. Ajo bëri të ditur se lançimi për publikun e gjerë do të vijë vetëm pas përfundimit të suksesshëm të kësaj faze testimi.

Paralelisht, Jet Bank do të zhvillojë gradualisht gamën e shërbimeve, duke u bazuar në nevojat dhe reagimet e përdoruesve, me synimin për të ndërtuar një model bankar modern dhe fleksibël.

Si banka e parë 100% digjitale në Shqipëria, Jet Bank synon të ofrojë shërbime financiare të aksesueshme në çdo kohë, duke sjellë një mënyrë të re ndërveprimi mes klientëve dhe sistemit bankar.

Kontakt: [email protected]