Anulimi i tenderit të Porto Romanos – Rama justifikohet me gjuhë të koduar: Ka faktorë të nëndheshëm që nuk e duan këtë port

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, komentoi anulimin e tenderit prej 400 milionë eurosh për portin e ri në Porto Romano, pasi kompania e vetme në garë u tërhoq në fazën përfundimtare.

Gjatë podcastit të tij Flasim, Rama theksoi se projekti mbetet strategjik për vendin dhe është i lidhur me Korridorin VIII, që përfshin edhe portet e thata në Prishtinë dhe Shkup.

Sipas tij, nuk ka pasur shqetësime nga aleatët ndërkombëtarë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, ndërsa projekti i hartuar nga kompania Royal HaskoningDHV është diskutuar edhe në nivelin e NATO.

Rama tha se projekti nuk mirëpritet nga të gjithë, duke përmendur faktorë të ndryshëm që sipas tij nuk e duan realizimin e këtij porti.

“Ka faktorë të nëndheshëm që lidhen me trafiqet, por edhe faktorë politikë brenda dhe jashtë vendit që nuk kanë sesi ta mirëpresin këtë projekt”, u shpreh ai.

Megjithatë, kryeministri theksoi se qeveria është gati të kalojë në një plan të ri për të nisur ndërtimin e portit, duke garantuar edhe fondet e nevojshme për realizimin e tij.