ZYRTARE/ Nis rivlerësimi i pronave në të gjithë vendin – tatim i ri 5% deri në fund të 2026

Ka filluar zbatimi i udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, pas botimit në Fletoren Zyrtare. Procesi do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe pritet të përfundojë deri në dhjetor 2026.

Sipas këtij udhëzimi, tatimi për rivlerësimin është përcaktuar në 5%, në krahasim me 15% që aplikohet aktualisht në rast shitjeje. Tatimi do të llogaritet mbi diferencën mes vlerës së regjistruar në kadastër dhe çmimit të tregut dhe do të zbatohet për individët dhe bizneset njësoj.

Për herë të parë në këtë proces do të merret parasysh amortizimi i pronës, ku vjetërsia e objektit do të ndikojë në nivelin e tatimit, duke ulur barrën për pronat më të vjetra.

Gjatë këtij viti do të hyjnë gjithashtu në fuqi çmime të reja reference për pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin, përveç Tiranës, që pritet të rrisin vlerën e pronave. Rivlerësimi i fundit u zhvillua gjatë 2020–2022 me një normë tatimore 3%, dhe solli të ardhura prej 138.6 milionë eurosh në buxhet.