Zyrtare: Anglia i beson projektin Tuchel – kontratë e re deri në Euro 2028

Federata Angleze e Futbollit ka vendosur të mos presë përfundimin e Botërorit “FIFA 2026” dhe ka blinduar të ardhmen e Thomas Tuchel në pankinën e “Tre Luanëve”. Tekniku gjerman ka firmosur një kontratë të re që e mban në krye të përfaqësueses deri në fund të “Euro 2028”, turne që do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë.

Vendimi vjen si rezultat i kënaqësisë së madhe me punën e Tuchel, i cili udhëhoqi Anglinë drejt një fushate kualifikuese perfekte për Botërorin, me statistika mbresëlënëse. Kujtojmë se Anglia ndodhej në të njëjtin grup me Shqipërinë gjatë këtyre kualifikueseve. Së bashku me trajnerin, ka rinovuar edhe i gjithë stafi teknik.

Rinovimi u zyrtarizua pikërisht në ditën kur Anglia pritet të mësojë kundërshtarët e saj në Ligën e Kombeve. Që në fillim, Tuchel kishte bërë të qartë se dëshironte stabilitet afatgjatë dhe që e ardhmja e tij të mos varej vetëm nga rezultati në Botërorin e ardhshëm.

Vetë trajneri gjerman nuk e fshehu entuziazmin për marrëveshjen e re:

“Jam shumë i lumtur dhe krenar që zgjas kontratën time me Anglinë. Mezi pres të udhëheq ekipin në Kupën e Botës. Është një mundësi e jashtëzakonshme dhe do të bëjmë gjithçka për ta bërë vendin krenar. Kam pasur mbështetje të madhe nga Federata dhe tifozët. Nuk hezitova asnjë moment për të vazhduar bashkëpunimin. Euro 2028 do të jetë një turne i veçantë, maksimumi për një trajner”, u shpreh Tuchel.