Sulmuesi brazilian Neymar ka rrëfyer detaje nga marrëdhënia e tij me Kylian Mbappen gjatë kohës sa ishin bashkë te Paris Saint-Germain, duke zbuluar se afrimi i Lionel Messit solli tensione në raportet mes tyre.
Në një deklaratë të fundit, Neymar u shpreh se në fillim kishte një raport shumë të mirë me sulmuesin francez.
“Kam pasur pak probleme me të, kishim një grindje të vogël, por në fillim ishte themelor. E quaja ‘Djaloshi i Artë’. Gjithnjë bisedoja me të, luaja së bashku dhe i thosha se do të jetë një nga më të mirët. Gjithmonë e kam ndihmuar dhe kam folur me të. Vinte edhe në shtëpinë time për drekë”, tha Neymar.
Sipas tij, situata ndryshoi pas transferimit të Lionel Messit në Paris.

“Kur Messi erdhi, ai u bë xheloz. Nuk donte të më ndante me askënd dhe nga aty filluan grindjet. Përpos grindjeve, pashë edhe një ndryshim në sjellje”, deklaroi braziliani.
Dështimi në Champions dhe ndarja e rrugëve
Megjithëse PSG kishte në përbërje një nga repartet më të frikshme sulmuese në Evropë me Messin, Neymarin dhe Mbappen, skuadra nuk arriti të fitojë UEFA Champions League.
Pas dy sezoneve pa sukses në garën më të rëndësishme për klube, treshja u shpërbë. Messi u transferua si lojtar i lirë te Inter Miami CF, Neymar kaloi te Al Hilal SFC, ndërsa Mbappe më vonë iu bashkua Real Madrid CF si agjent i lirë.
Pas largimit të tyre, PSG ndryshoi projektin sportiv duke emëruar në stol trajnerin Luis Enrique, një lëvizje që rezultoi e suksesshme, pasi klubi arriti të fitojë Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.









