PRETENCA/ Korrupsion dhe pabarazi në tendera në Universitetin Bujqësor, Kamëz – SPAK jep masën e dënimit që kërkon për 29 të pandehurit …

Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lexoi këtë të premte pretencën për 29 të pandehurit në çështjen që lidhet me procedurat e prokurimit në Universiteti Bujqësor i Tiranës. Të akuzuarit janë gjykuar me procedurë të shkurtuar.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi, kërkoi dënim me 3 vite burg për Edmond Terthorjan, Amarildo Lleshin, Serafin Skenderin dhe Altin Murton, me ulje të 1/3 së dënimit për shkak të procedurës së shkurtuar, si dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.

Për disa prej të pandehurve të tjerë, Prokuroria kërkoi dënime nga 1 vit deri në 1.6 vite burg, me zbritje të 1/3 së masës dhe konvertim në shërbim prove, sipas rastit, për periudha nga 150 orë deri në 2 vite. Në disa raste është kërkuar pezullim i ekzekutimit të vendimit dhe vendosje në shërbim prove me detyrim paraqitjeje pranë strukturave përkatëse.

Ndërkohë, Piro Zoga, Ilir Kusi, Bejo Bizhga, Dritan Laçi dhe Arjan Buliaj po gjykohen me procedurë të zakonshme, në një proces të ndarë nga pjesa tjetër e të pandehurve.

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar caktoi seancën e radhës më 18 mars, kur pritet të paraqitet mbrojtja dhe më pas të shpallet vendimi.

Sipas dosjes hetimore, 27 prej të pandehurve janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Universitetit Bujqësor, ndërsa dy të tjerë përfaqësues të operatorit ekonomik “Krijon” sh.p.k.

Ata akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikim dokumentesh, të kryera në bashkëpunim. Hetimet kanë evidentuar shkelje në nëntë procedura prokurimi të zhvilluara gjatë vitit 2022, me një fond total prej rreth 90 milionë lekësh.