Zbardhen të tjera detaje nga debati i fortë në Këshillin e Mandateve – Manja kundërshtoi SPAK: Masat ndaj Ballukut janë të mjaftueshme për hetimin

Zbardhen të tjera detaje nga mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve në Kryesinë e Kuvendit, ku Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi autorizimin për arrestimin e zëvendëskryeministres së pezulluar, Belinda Balluku, pas provave të reja që sipas organit të akuzës rëndojnë pozitën e saj.

Opozita deklaroi se ekzistojnë prova të mjaftueshme për ta çuar çështjen në seancë plenare dhe për të votuar heqjen e imunitetit, me qëllim hapjen e rrugës për arrestimin e saj.

Ndërkohë, përfaqësuesit e mazhorancës mbajtën një qëndrim të kundërt. Ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u shpreh kundër kërkesës së SPAK, duke theksuar se “masat e marra deri tani janë të mjaftueshme për hetimin”.

Në mbledhje ishin të pranishëm edhe kreu i SPAK, Klodian Braho, si dhe prokurori Dritan Prençi.

Sipas SPAK, Balluku akuzohet për intimidim të dëshmitarëve dhe tentativë për prishje provash. Me faktet e reja të zbuluara, rreziku penal ndaj saj, që në fillim të hetimit parashikonte deri në 10 vite burg, tashmë sipas prokurorisë mund të arrijë deri në 35 vite.

Çështja lidhet me dyshime për abuzime në tenderët e Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe.

Mbledhja u mbyll për ditën e sotme, ndërsa anëtarët e Këshillit pritet të vijojnë diskutimet për të vendosur nëse kërkesa e SPAK do të kalojë për votim në seancë plenare.