Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar protestën e radhës që do të zhvillohet të shtunën, më 28 shkurt, duke e quajtur atë një “kryengritje paqësore” që do të jetë më e fuqishme se çdo protestë e mëparshme.
Berisha deklaroi se qytetarët do të shprehin zemërimin dhe revoltën e tyre ndaj “hajdutëve” dhe se aksioni do të kalojë në një fazë të intensifikimit dhe diversifikimit të veprimeve. Ai siguroi se çdo veprim i ri do të bëhet publik në përputhje me vendimet e bashkëpunëtorëve të tij.
“Kjo do të jetë dita e triumfit të opozitës dhe e shqiptarëve mbi hajdutët. Do të jetë një kryengritje më e fuqishme se çdo protestë që ka njohur vendi deri tani,” tha Berisha, duke nënvizuar se organizimi i aksioneve do të bëhet i koordinuar dhe me kujdes.









