VENDIMI/ Xhelal Rraja lirohet nga burgu – GJKKO i cakton “arrest shtëpie”

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka pranuar kërkesën e Xhelal Rrajës për ndryshimin e masës së sigurisë, duke e liruar nga burgu dhe duke e vendosur nën arrest shtëpie.

Rraja do të qëndrojë nën mbikëqyrje policore dhe i ndalohet çdo komunikim me persona të tjerë, përveç atyre që ndajnë banesën me të.

Ai u arrestua në korrik 2024, pas operacionit “Revanshi”, ku ishte i shpallur në kërkim dhe masën e sigurisë e kishte “Arrest në burg” për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe për sigurim të kushteve për të kryer vrasje.

Xhelal Rraja është vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, dhe përmendet në përgjimet e dosjes “Metamorfoza” si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2. Sipas SPAK, ai ishte pjesë e grupeve kriminale të Durim Bamit dhe Endrit Dokles që tentuan vrasjen e ish-deputetit Arben Ndoka.

Rraja është përfshirë edhe në një rrahje masive në Thumanë ndaj dy kushërinjve, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen. Ai ka qenë i shoqëruar disa herë nga Policia, duke deklaruar se ndalimet ishin të padrejta dhe të nxitura nga kundërshtarë të tij.

Së fundmi, Policia ka ndaluar në Kodër-Kashar Ramazan Rrajën dhe Rexhep Rrajën, nipin dhe djalin e deputetit Rrahman Rrajës. Xhelal Rraja ka mohuar që djali i tij të ishte në kërkim dhe ka akuzuar policinë për sulme personale ndaj tij.