VENDIM/ Apeli i GJKKO dënon me burg Edison Memollën – kryebashkiaku i Rrogozhinës humb mandatin

Gjykata e Apelit e GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë që dënon me 1 vit burg kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje. Vendimi është i formës së prerë. Memolla nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij.

Në fuqi mbetën edhe dënimet për tre të pandehur të tjerë: Ndriçim Tafxhafa dhe Blerim Xhamani me nga 1 vit burg secili, ndërsa për Isuf Toskën u dha dënimi me 8 muaj burg, i pezulluar në shërbim prove.

Çështja lidhet me një përgjim audio të publikuar, ku Memolla, në kohën kur ishte kandidat për kryebashkiak, dëgjohet duke i kërkuar një elektricisti të mos ndërpriste energjinë për një abonent debitor në këmbim të votës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022.

Me këtë vendim krijohet vakancë në Bashkinë e Rrogozhinës, çka çon në zhvillimin e zgjedhjeve të reja, të cilat sipas ligjit duhet të mbahen jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga shpallja e vakancës. Memolla ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs brenda afateve ligjore.