Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë zyrtare lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur mbështetje për ta dhe duke kërkuar një proces të drejtë e të paanshëm.
Në tekstin e miratuar, Kuvendi thekson se UÇK-ja ishte një lëvizje legjitime çlirimtare, e cila luftoi për të drejtat dhe lirinë e popullit të Kosovës. Sipas deklaratës, ekziston shqetësimi se qëndrimi i Prokurorisë Speciale mund të çojë në një “shtrembërim të rrezikshëm të historisë”, duke vendosur në të njëjtin plan luftën çlirimtare të Kosovës me krimet e kryera nga regjimi i Sllobodan Millosheviçit.
Kuvendi shpreh “mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar” për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i cilësuar si përfaqësues të aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Në deklaratë i bëhet thirrje Dhomave të Specializuara dhe komunitetit ndërkombëtar që procesi gjyqësor të zhvillohet mbi bazën e drejtësisë dhe paanshmërisë, duke respektuar, sipas saj, dinjitetin e luftës çlirimtare.
Dokumenti kujton gjithashtu se lufta e UÇK-së u zhvillua në një kontekst ku, sipas tij, regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe krime kundër popullatës civile në Kosovë, ndërsa ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konsiderohet si konfirmim i legjitimitetit të asaj lufte.
Në përfundim, Kuvendi shpreh solidaritet me popullin e Kosovës dhe familjet e ish-drejtuesve të UÇK-së, duke deklaruar angazhimin për të ndërmarrë hapa diplomatikë dhe politikë në arenën ndërkombëtare për të mbrojtur, sipas tij, të vërtetën historike dhe për të garantuar një proces të drejtë gjyqësor.









