Kreu i SPAK takon Presidentin e Eurojust – Theksohet forcimi i bashkëpunimit kundër krimit të organizuar

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Eurojust-it, Michael Schmid, në selinë qendrore të këtij institucioni evropian.

Takimi u bë i ditur nga Eurojust dhe SPAK përmes njoftimeve në rrjetet sociale, duke vënë në dukje bashkëpunimin e vazhdueshëm mes dy institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ndërkufitar.

Vetëm disa muaj më parë, gjatë një vizite në Tiranë, Michael Schmid kishte theksuar nevojën për thellimin e bashkëpunimit me SPAK, duke e cilësuar Ballkanin Perëndimor si një partner kyç për Eurojust në përballjen me grupet kriminale. Gjatë Forumit të Dytë Konsultativ të Kryeprokurorëve të rajonit, ai ishte takuar edhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ku u vlerësua roli i SPAK si një institucion që po ndikon ndjeshëm në forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e besimit publik.

Në atë aktivitet, Schmid kishte nënvizuar mbështetjen e Eurojust për rrugën evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit, duke garantuar vazhdimësinë e asistencës në fushën e bashkëpunimit gjyqësor. Ai ishte shprehur se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian do të ishte një hap i rëndësishëm, ndërsa Eurojust mbetet i angazhuar për të lehtësuar këtë proces përmes forcimit të bashkëpunimit institucional.