Trump distancohet nga videoja raciste për Obamën, por refuzon të kërkojë falje: “S’kam bërë asgjë gabim”

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dënuar një video me përmbajtje raciste të publikuar në platformën e tij Truth Social, ku ish-presidenti Barack Obama dhe bashkëshortja e tij Michelle paraqiteshin si majmunë, por ka refuzuar të marrë përgjegjësi personale apo të kërkojë falje.

Shtëpia e Bardhë e cilësoi publikimin si një “gabim të stafit”, ndërsa videoja është fshirë më pas nga platforma. Megjithatë, Trump deklaroi para gazetarëve se nuk e kishte parë të gjithë materialin, pasi “nuk i pëlqeu”, dhe hodhi poshtë çdo faj.

I pyetur drejtpërdrejt nëse do të kërkonte ndjesë, ai u përgjigj: “Jo, nuk bëra asgjë të gabuar.” Trump shtoi se kishte parë vetëm fillimin e videos dhe se kishte dëgjuar se në fund kishte pjesë “që njerëzve nuk u pëlqyen”.

“As mua nuk më pëlqeu, por nuk e pashë,” tha ai, duke lënë të kuptohet se nuk ishte në dijeni të plotë të përmbajtjes.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve dpa, nuk ka qenë e mundur të verifikohet në mënyrë të pavarur përshkrimi që Trump i bëri videos. Kur u pyet nëse i dënonte elementët racistë të saj, presidenti u përgjigj shkurt: “Sigurisht që po.”