Kur politikës i duhet të bëhet njësh dhe futet në robën e gjykatësit për të sharë e mbrojtur “lubitë”…

Nga bignews

Vota e Sonila Bejtjes pro kërkesës së Edi Ramës për të rrëzuar pezullimin e Belinda Ballukut nuk është thjesht një qëndrim juridik. Është një votë që hyn drejt në zemër të përplasjes më të fortë politike dhe morale të momentit.

Sepse këtu nuk kemi një çështje thjesht teknike. Kemi të pezulluar nga drejtësia e posaçme numrin dy të qeverisë për afera të rënda dhe shefin e saj Kryeministër që përdor çdo mekanizëm për ta mbrojtur. Dhe në këtë vijë ndarëse, një gjyqtare e Kushtetueses zgjedh të rreshtohet në krahun që kërkonte ta kthente në zyrë.

Pyetja që lind natyrshëm është politike dhe publike, jo personale:

A e kupton opozita, a e kupton Berisha, se loja e pushtetit nuk bëhet vetëm në foltore e studio, por edhe në korridoret e institucioneve?

A e di Berisha që i mbiu në gojë togfjalëshi “lubi Balluku”, se pikërisht bashkshortja e drejtorit të Syri Tv Andi Bejtjas votoi pikërisht pro lubisë?

Sepse perceptimi publik është i pamëshirshëm. Kur figura të lidhura me botën mediatike pranë opozitës shfaqen familjarisht të lidhura me emra që në momente kyçe marrin vendime në favor të pushtetit, krijohet një hije e madhe dyshimi. Edhe kur gjithçka mund të jetë formalisht korrekte, konflikti i perceptimit është aty — dhe në politikë perceptimi vret më shpejt se prova.

Kjo është drama e madhe e opozitës shqiptare prej vitesh:

retorikë e fortë në publik, por një mjegull e trashë kur vjen puna te rrjetet reale të ndikimit.

Ndërsa në podiume flitet për “regjim”, “vjedhje” dhe “kapje të shtetit”, në realitet sistemi vazhdon të funksionojë me fijet e vjetra: lidhje, afrimitete, heshtje selektive. Dhe çdo votë si kjo e sotmja e thellon ndjesinë se beteja nuk është aq e pastër sa paraqitet.

Në fund, dëmi nuk i bëhet vetëm një pale politike.

Dëmi i bëhet besimit te drejtësia.

Sepse kur qytetari sheh që edhe në majën e piramidës kushtetuese vendimet bien në mes të stuhisë politike, ai nuk lexon nene e paragrafë. Ai sheh vetëm këtë:

Pushteti lufton për njerëzit e vet.

Të tjerët luftojnë me fjalë.

Dhe ky është momenti kur zhgënjimi bëhet më i fortë se zemërimi.