Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar ashpër kartelet meksikane të drogës që të mos dëmtojnë qytetarët amerikanë, në një kohë kur dhuna ka përfshirë disa rajone të Meksikës pas vrasjes së liderit të kartelit të fuqishëm Jalisco New Generation.
Gjatë një interviste në Fox News, sekretarja e shtypit Karoline Leavitt deklaroi se kartelet “e dinë të mos prekin asnjë amerikan, përndryshe do të përballen me pasoja të rënda nën këtë president”. Ajo theksoi se deri më tani nuk ka raportime për qytetarë amerikanë të vrarë, rrëmbyer apo lënduar nga përshkallëzimi i fundit i dhunës.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, operacioni që çoi në vrasjen e Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u realizua nga autoritetet meksikane me mbështetje të inteligjencës amerikane. Aksioni u zhvillua në Tapalpa, në shtetin Jalisco.
Administrata e Donald Trump ka shpallur kartelet meksikane organizata terroriste të huaja që në shkurt 2025 dhe, sipas zyrtarëve amerikanë, ka ndërmarrë masa të ashpra kundër trafikantëve të dyshuar në rajonin e Karaibeve dhe Paqësorit.
Operacioni la të vrarë katër anëtarë të kartelit, përfshirë Osegueran; tre të tjerë u plagosën dhe dy u arrestuan, sipas autoriteteve meksikane.
Pas vdekjes së tij, dhuna shpërtheu në rreth 20 shtete të Meksikës. Autoritetet raportuan 25 anëtarë të Gardës Kombëtare të vrarë, si dhe të paktën 30 anëtarë të dyshuar të Jalisco New Generation Cartel (CJNG).
Anëtarët e kartelit ngritën rreth 250 postblloqe në autostradat federale, dogjën automjete dhe sulmuan biznese e institucione. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, njoftoi se shumica e bllokadave janë hequr nga autoritetet, ndërsa forcat e sigurisë vijojnë operacionet për stabilizimin e situatës.









