Nga bignews.al
Sa herë që Sali Berisha përdor tone alarmi, flet për “rrezik për demokracinë” apo paralajmëron për përplasje të forta politike, reagimi nga partnerët perëndimorë është pothuajse i njëjtë: heshtje, deklarata standarde për dialog dhe theksim i stabilitetit. Pse?
Sepse Perëndimi nuk reagon ndaj retorikës — reagon ndaj interesit.
Në sytë e diplomacive perëndimore, Shqipëria sot nuk paraqet krizë gjeopolitike, nuk është në prag destabilizimi rajonal dhe nuk po del nga korniza euroatlantike. Për sa kohë institucionet funksionojnë formalisht, zgjedhjet zhvillohen dhe kursi strategjik mbetet i pandryshuar, alarmet politike konsiderohen betejë e brendshme pushteti.
Sa herë që Sali Berisha ngre alarmin për krizë demokratike apo përdor tone të ashpra ndaj qeverisë, reagimi nga Perëndimi mbetet i ftohtë. Arsyeja nuk lidhet vetëm me stabilitetin rajonal apo me perceptimin se bëhet fjalë për përplasje të brendshme politike.
Statusi i tij ndërkombëtar është në fakt elementi thelbësor i kësaj gjëndje:
Berisha është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo do të thotë se ai nuk gëzon më legjitimitetin diplomatik që dikur kishte si ish-kryeministër dhe ish-president. Në praktikë, asnjë ambasador i vendeve kryesore perëndimore në Tiranë nuk zhvillon takime zyrtare me të.
Në diplomaci, izolimi është mesazh politik. Kur një figurë politike është e sanksionuar dhe e përjashtuar nga kontaktet zyrtare, zëri i saj në kancelaritë perëndimore humbet peshë, pavarësisht intensitetit të retorikës së brendshme.
Për partnerët euroatlantikë, Shqipëria vlerësohet mbi bazën e funksionimit institucional, kursit strategjik dhe stabilitetit. Për sa kohë këto elemente nuk konsiderohen të cenuara në mënyrë formale nga raportet ndërkombëtare, deklaratat politike – sado të forta – nuk prodhojnë reagim.
Gjuha refraktare e partisë së Sali Berishës ndaj Drejtësisë në përgjithësi dhe SPAK në veçanti, si institucione që gëzojnë mbështetjen e Perëndimit, është po ashtu një arsye e fortë pse dhe protestat me tym e flakë, ndonëse me numur të reduktuar protestuesish nuk përcjellin simpati tek partnerët ndërkombëtarë.
Në fund, realiteti është i thjeshtë: kur një lider është i sanksionuar nga SHBA dhe Britania dhe nuk ka më kanale zyrtare komunikimi me ambasadorët perëndimorë, “këmbanat” e tij, qofshin ato dhe me zhurrmë molotovësh e fishekzjarresh, nuk arrijnë të bien në veshët që ata duan t’i dëgjojnë.









