Java e radhës në Serinë A prodhoi sinjale të forta në garën për zonën europiane, me Romën dhe Atalantën që siguruan fitore me peshë dhe ndezën edhe më shumë luftën për vendet e para.
Atalanta, ku aktivizohet mbrojtësi i Kombëtares shqiptare Berat Gjimshiti, triumfoi 2-1 ndaj Kremonezes në një sfidë të dominuar thuajse plotësisht nga bergamaskët. Gjimshitit madje iu anulua një gol në minutat e fundit, por kjo nuk e zbehu suksesin e ekipit të tij. Me këtë fitore, Atalanta afrohet ndjeshëm me zonën e Europës, duke u pozicionuar vetëm dy pikë larg vendit të gjashtë.
Në mbrëmje, Roma bëri detyrën ndaj Kaljarit, duke fituar pastër 2-0. Heroi i verdhekuqve ishte holandezi Donyell Malen, autor i të dy golave të takimit. Falë këtij suksesi, kryeqytetasit barazojnë Juventusin në vendin e katërt me nga 46 pikë, duke e bërë edhe më të fortë betejën për një biletë në Champions League.
Seria A po hyn kështu në një fazë ku çdo pikë peshon si finale.









