RAPORTI/ Inteligjenca estoneze paralajmëron: Rusia po riarmatoset për të riformësuar balancat e pushtetit në Evropë

Rusia nuk pritet të ndërmarrë një sulm ushtarak kundër një vendi të NATO-s gjatë këtij apo vitit të ardhshëm, por po përshpejton rindërtimin dhe forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake, ndërsa Evropa shton investimet në mbrojtje. Ky është vlerësimi i fundit i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Estonisë, i publikuar në raportin vjetor.

Estonia, anëtare e NATO-s që kufizohet drejtpërdrejt me Rusinë, ka qenë ndër zërat më kritikë ndaj Moskës dhe një mbështetëse e fortë e Ukrainës. Kreu i shërbimit estonez të inteligjencës, Kaupo Rosin, deklaroi se Evropa duhet të rrisë investimet në mbrojtje dhe siguri të brendshme, në mënyrë që Rusia të arrijë në përfundimin se një përballje me NATO-n nuk ka asnjë shans suksesi.

Sipas raportit, udhëheqja ruse po ndjek me shqetësim riarmatimimin evropian dhe vlerëson se brenda dy deri në tre vitesh Evropa mund të ketë aftësi për veprime ushtarake të pavarura. Ndërkohë, prodhimi rus i municioneve po rritet me ritme të shpejta, duke i mundësuar Moskës të grumbullojë rezerva për konflikte të ardhshme, edhe pse lufta në Ukrainë vazhdon.

Në rast të një sulmi ndaj Estonisë, inteligjenca parashikon përdorimin e gjerë të dronëve në tokë, ajër dhe det, me operacione të njëkohshme në të gjithë territorin e vendit.

Raporti thekson gjithashtu se Kremlini vazhdon ta shohë SHBA-në si kundërshtarin kryesor global, megjithëse shfaq gatishmëri për bashkëpunim me qëllim lehtësimin e sanksioneve. Sipas autoriteteve estoneze, kjo qasje synon të shfrytëzojë rrethanat politike për të rivendosur marrëdhënie dypalëshe dhe për të arritur një zgjidhje që do të formalizonte humbjen e Ukrainës.

Megjithatë, qëllimet strategjike të Moskës mbeten të pandryshuara: dobësimi i rolit të SHBA-së dhe NATO-s dhe riformësimi i arkitekturës së sigurisë evropiane sipas interesave ruse. Në raport përmendet edhe Kina, e cila e sheh Rusinë si një partner të dobishëm për të sfiduar Perëndimin dhe si një burim të rëndësishëm energjie në rast tensionesh të mundshme në Azi.