VIDEO-LAJM/ “Kilometri i Fundit” i rrudhur në numra bëri sërish sot adetin para Kryeministrisë – Berisha: Shqipëria në situatë alarmante

Partia Demokratike zhvilloi sot, më 10 shkurt, protestën e dytë kombëtare për vitin 2026, me tubimin kryesor përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, e kishte paralajmëruar më herët tubimin si një “kryengritje paqësore”, pa dhënë detaje mbi skenarin e organizimit.

Për garantimin e rendit dhe sigurisë, në terren janë angazhuar mbi 1,300 efektivë policie. Gjatë zhvillimit të protestës, është bllokuar qarkullimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në disa akse kryesore pranë zonës së tubimit.

Protesta vjen pas asaj të 24 janarit, ku u shënuan incidente. Asokohe, 18 persona u arrestuan për hedhje lëndësh djegëse dhe përplasje me forcat e rendit, ndërsa 11 efektivë policie përfunduan në spital. Hetime janë regjistruar edhe për disa përfaqësues të lartë të Partisë Demokratike, mes tyre Ervin Minarolli, Gazment Bardhi, Klevis Balliu dhe Luçiano Boçi.

Gjatë fjalës së tij para protestuesve, Berisha deklaroi se vendi ndodhet në “kushtet më alarmante” dhe akuzoi qeverinë për pasoja të rënda ekonomike e shoqërore gjatë 13 viteve të fundit. Ai theksoi se, sipas tij, Bashkimi Europian ka dërguar sinjale shqetësuese lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë.

“Sot Shqipëria përballet me pasoja katastrofike që po gërryejnë ekzistencën e shqiptarëve në vendin e tyre. Nga Brukseli vjen paralajmërimi më ogurzi, për shkak të korrupsionit dhe vjedhjes së papërmbajtur, për zhbërjen nga e para të udhëtimit tonë drejt Bashkimit Europian”, u shpreh Berisha në fjalimin e tij.

Screenshot