SAMITI I MUNIH/ Rubio në Konferencën e Sigurisë – pjesëmarrës edhe Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe drejtori i inteligjencës kosovare

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë këtë javë drejt Gjermanisë për të udhëhequr një delegacion të nivelit të lartë në Konferencën e Sigurisë në Munih, e cila mbahet nga 13 deri më 15 shkurt. Pas ndalesës në Gjermani, ai do të zhvillojë vizita zyrtare edhe në Sllovaki dhe Hungari.

Në edicionin e 62-të të konferencës pritet pjesëmarrja e qindra liderëve botërorë. Nga Kosova do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Petrit Ajeti. Edhe Serbia do të përfaqësohet me presidentin Aleksandar Vuçiq, ministrin e Jashtëm Marko Gjuriq dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Takimi zhvillohet në një klimë të ndjeshme për marrëdhëniet transatlantike, me diskutime që pritet të fokusohen te lufta në Ukrainë – e cila po hyn në vitin e pestë – si dhe tensionet që lidhen me Iranin. Organizatorët e konferencës, në raportin e tyre vjetor, paralajmërojnë për një “epokë të zgjatur konfrontimi” në Evropë, të nxitur nga agresioni rus.

Rubio do të mbajë fjalimin e tij kryesor në Munih më 14 shkurt, i cili pritet të ndiqet me interes të madh, sidomos pas jehonës që pati një vit më parë paraqitja e nënpresidentit amerikan JD Vance.

Raporti i konferencës ngre shqetësime edhe për tensione të brendshme në kampin perëndimor, duke përmendur ndryshime në qasjen e SHBA-së ndaj aleancave. Megjithatë, ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, ka theksuar se Uashingtoni synon forcimin e Aleancës përmes rritjes së kapaciteteve të mbrojtjes nga vendet anëtare, dhe jo dobësimin e saj.

Pas Munihut, Rubio do të vizitojë Bratisllavën dhe Budapestin më 15 dhe 16 shkurt. Në Sllovaki ai do të diskutojë për bashkëpunimin në siguri dhe projektet e energjisë bërthamore, ndërsa në Hungari fokusi do të jetë në marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të paqes globale.

Konferenca e këtij viti zhvillohet në një periudhë pasigurie strategjike, ku Evropa përballet me sfida të shumta të sigurisë dhe me debate mbi të ardhmen e rendit ndërkombëtar.