Rama drejt SHBA, në Tiranë plas debati – eurodeputeti Michael Gahler përballet me Taulant Balla për “Bordin e Paqes”

Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Shteteve të Bashkuara pas ftesës së presidentit Donald Trump, ku pritet të firmosë marrëveshjen për përfshirjen e Shqipërisë në nismën e ashtuquajtur “Bordi i Paqes” për rindërtimin e Gazës.

Ndërsa Rama udhëton drejt Uashingtonit për vizitën në Shtëpinë e Bardhë, në Tiranë kanë shpërthyer debatet politike për këtë vendim. Eurodeputeti gjerman Michael Gahler, i cili ndodhet në Shqipëri në kuadër të delegacionit të Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), i ka kërkuar shpjegime kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, mbi arsyet e bashkimit të Shqipërisë me këtë iniciativë amerikane.

Sipas Gahler, në kushtet kur Bashkimi Europian nuk ka një qëndrim të përbashkët për këtë strukturë, lind pyetja pse Shqipëria e pranoi menjëherë ftesën e presidentit amerikan.

Balla iu përgjigj duke theksuar “marrëdhënien e veçantë” mes Shqipërisë dhe SHBA-së, ndërsa sugjeroi që zyrtarët europianë duhet të pyesin institucionet e tyre pse BE-ja nuk ka një pozicion unik për këtë çështje.

Gjatë takimit, Balla ngriti gjithashtu shqetësimin për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke paralajmëruar se çdo tentativë për të barazuar viktimat me autorët do të sillte pasoja destabilizuese. Ai i kërkoi Parlamentit Europian të angazhohet më shumë në këtë çështje.