Presidenti i Malit të Zi në konferencën e Mynihut pyeti për zgjerimin – Merz i përgjigjet: “Nuk dua që t’ju humbasim nga BE”

Një moment i pazakontë në Munich Security Conference ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare: Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatović, mori mikrofonin si të ishte gazetar dhe u ngrit në këmbë për t’i drejtuar një pyetje kancelarit gjerman.

Pyetja iu drejtua kancelarit Friedrich Merz dhe kishte të bënte me dinamikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim. Milatović kërkoi të dinte nëse zgjerimi i BE-së shihet si pjesë e forcimit të konkurrueshmërisë së Evropës në arenën globale.

Në përgjigjen e tij, Merz u shpreh qartë në mbështetje të zgjerimit, duke theksuar se vendet e rajonit janë pjesë e kontinentit evropian dhe potencialisht pjesë e Bashkimit Evropian.

“Padyshim, përgjigjja është po”, tha ai, duke shtuar se është në një linjë me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për këtë çështje.

Kancelari gjerman theksoi se BE-ja ka premtuar anëtarësim për disa vende të rajonit dhe pranoi se ndihet gjithnjë e më i shqetësuar për mënyrën se si po trajtohet procesi i afrimit të tyre me Unionin.

Fjalët e tij — “Nuk dua që t’ju humbasim” — u komentuan gjerësisht në rrjet dhe u cilësuan si një nga momentet më domethënëse të konferencës