Policia greke ka ndërmarrë një operacion të gjerë antidrogë në Burgun e Malandrinos, duke goditur një grup bashkëpunëtorësh të një 49-vjeçari shqiptar, i njohur si “bosi i mafias shqiptare” në burgje, i akuzuar për trafik droge, gjobëvënie dhe atentate.
Sipas njoftimit të autoriteteve, organizata kriminale vepronte brenda qendrës së paraburgimit, ku menaxhonte shpërndarjen e lëndëve narkotike. Në pranga ranë katër persona, dy prej të cilëve ishin tashmë të burgosur.
Mes të arrestuarve është edhe një 23-vjeçare egjiptiane, e cila sipas hetimeve luante rol kyç si transportuese e drogës. Ajo u ndalua gjatë një vizite në burg, pasi dyshohej se kishte fshehur në trup një sasi droge me peshë totale 144 gramë, me qëllim dorëzimin tek i dënuari shqiptar.
Gjatë operacionit u sekuestruan sasi kokaine, heroine, metamfetamine kristalore dhe kanabis, si dhe një pistoletë me ajër, 5 ampula ajri të kompresuar, fishekë metalikë për pistoletë me ajër, 2,150 euro, një automjet dhe tre telefona celularë.
Sipas policisë, 49-vjeçari shqiptar drejtonte skemën dhe menaxhonte fitimet nga shitja e drogës, ndërsa një bashkëpunëtor egjiptian ishte përgjegjës për sigurimin e klientëve dhe shpërndarjen e lëndëve brenda burgut.
Kontrollet e zhvilluara në qelitë e të përfshirëve çuan në zbulimin dhe sekuestrimin e materialeve të tjera që lidhen me aktivitetin kriminal. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit dhe lidhjeve të tij.









