MOTI I KEQ/ Rënie inertesh në disa akse rrugore të qarkut Elbasan – prurjet e lumenjve mbi mesataren

Moti i paqëndrueshëm me reshje të dendura shiu ka përfshirë vendin, ndërsa në qarkun e Elbasan intensiteti i reshjeve është raportuar mesatar, pa krijuar deri tani situata emergjente.

Sipas të dhënave zyrtare, prurjet e lumit Shkumbin dhe përroit të Zaranika janë mbi mesatare, por nuk paraqesin rrezik për përmbytje apo probleme të tjera.

Rënie gurësh në disa akse

Akset rrugore nacionale dhe rurale në qark vijojnë të jenë të hapura për qarkullim. Megjithatë, në disa segmente janë shënuar problematika për shkak të kushteve atmosferike.

Rënie gurësh dhe inertesh janë regjistruar në akset:

  • Elbasan–Gjinar
  • Gramsh–Moglicë

Materialet e rëna janë pastruar nga firmat kontraktuese dhe qarkullimi është rikthyer normalisht.

Ndërkohë, në aksin Drizë–Holtë, reshjet e vazhdueshme të ditëve të fundit kanë shkaktuar gërryerje të trupit të rrugës. Autoritetet e Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) kanë ndërhyrë me mbushje provizore, por ndërhyrja nuk ka rezultuar e qëndrueshme, pasi problematika është rishfaqur sërish gjatë ditës së sotme.

Ulje e shkarkimeve në HEC Banjë

Sa i përket situatës hidrike, HEC Banjë ka ulur shkarkimet që prej pasdites së djeshme në nivelin 50 m³/sek. Në total, së bashku me prodhimin e energjisë, shkarkimet arrijnë në rreth 150 m³/sek.

Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të tregojnë kujdes në zonat me risk të rrëshqitjeve apo gërryerjeve të rrugëve.