E PAZAKONTE/ Protesta e opozitës para Kryeministrisë – Policia deklarohet se nuk merr përsipër sigurinë e tubimit – çfarë po paralajmërohet?

Policia e Tiranës ka njoftuar se ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës së opozitës, e cila pritet të zhvillohet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë. Megjithatë, në përgjigje të kërkesës së bërë nga Partia Demokratike e Shqipërisë, uniformat blu deklarojnë se “nuk e marrin përsipër zhvillimin e tubimit”.

Sipas njoftimit zyrtar, vendimi është bazuar në analizën e riskut, duke marrë në konsideratë incidentet e protestës së kaluar, ku pati persona të maskuar që hodhën bomba molotov dhe lëndë piroteknike, duke lënduar punonjës policie.

“Bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme edhe në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit”, thuhet në njoftim.

Nga ana tjetër, Policia thekson se, në zbatim të ligjit “Për tubimet”, janë marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen dhe garantimin e rendit publik në rast se protesta do të zhvillohet.

Rrugët që do të bllokohen

Në kuadër të masave të sigurisë, duke nisur nga ora 15:00 e datës 20.02.2026 dhe deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në disa akse kryesore të Tiranës:

  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”
  • Rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”

Policia paralajmëron se, në varësi të zhvillimit të situatës, mund të ketë kufizime të tjera të përkohshme në akse të ndryshme rrugore.

Uniformat blu apelojnë që qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në zonat e bllokuara, të përdorin rrugë alternative dhe të denoncojnë çdo akt dhune apo paligjshmëri që mund të konstatohet gjatë protestës.