Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ishte një nga protagonistët e mbrëmjes spektakolare të së mërkurës për Juventus në duelin dramatik ndaj Galatasaray. Edhe pse humbi një rast të artë në sekondat e fundit për ta çuar rezultatin në 4-0, paraqitja e tij u konsiderua ndër më bindëset e sezonit për bardhezinjtë.
E përditshmja italiane Tuttosport i ka kushtuar një analizë të veçantë performancës së anësorit kosovar, duke vlerësuar ndikimin e tij në lojë.
Sipas medias italiane, i aktivizuar nga trajneri Luciano Spalletti, Zhegrova përfitoi nga ndryshimet taktike që lanë në hije Francisco Conceição dhe Jonathan David. Në krahun e djathtë, ai u shfaq i pandalshëm, me shpërthime të vazhdueshme dhe presing të lartë, duke u kthyer në një armë të fortë sulmuese për ekipin torinez.
Aksioni që çoi në golin e dytë të realizuar nga Federico Gatti mbajti firmën e Zhegrovës, i cili demonstroi teknikë, shpejtësi dhe vendimmarrje të saktë – cilësi që bindën Juventusin të investonte tek ai verën e kaluar.
Në minutat shtesë, kosovari pati shansin të vuloste paraqitjen e tij me gol, por u ndal nga portieri turk Uğurcan Çakır. Një moment që nuk e zbeh aspak kontributin e tij në një mbrëmje ku ishte ndër më të spikaturit.
Pas një sezoni të kaluar të shoqëruar me probleme fizike, Zhegrova duket tashmë i gatshëm të marrë një rol kyç te Juventusi. Edhe “Tuttosport” thekson se ai duhet të jetë një nga pikat qendrore të projektit bardhezi për të ardhmen.
Ndërkohë, paraqitjet e tij pozitive janë një lajm i mirë edhe për Kosovën, që në mars do të përballet me Sllovakia në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026.









