Gjykata e Durrësit ka marrë vendimin për masat e sigurisë për 20 të arrestuar në kuadër të hetimeve për mbetjet e rrezikshme të lidhura me kompaninë “Kurum”.
Nga vendimi i gjykatës:
- 8 të akuzuar do të qëndrojnë në qeli,
- 5 në arrest shtëpie,
- 7 me detyrim paraqitjeje dhe ndalim daljeje jashtë shtetit.
Ndër të arrestuarit janë biznesmenë, zyrtarë të AKM-së dhe Doganave, të dyshuar për shkelje ligjore në trajtimin dhe eksportimin e mbetjeve të rrezikshme. Masa u morën pas mbërritjes nga Italia të analizave laboratorike, të cilat konfirmuan se mbetjet janë të dëmshme dhe potencialisht kancerogjene për shëndetin e njeriut.
Hetimet lidhen me 102 kontejnerë me 210 tonë mbetje që kishin destinacion Tajlandën, të cilët u kthyen në Shqipëri në nëntor 2024. Sipas sinjalizimeve të “Basel Action Network” (BAN), kontenjerët përmbanin hiri të oxhaqeve metalurgjike (EAFD) dhe nuk ishte hera e parë që Shqipëria eksportonte mbetje të dyshuara drejt Azisë.
Prokuroria ka nisur hetimet ndaj kompanisë shqiptare “Sokolaj” sh.p.k, pronë e Gjovana Sokolaj, si eksportuese e kontejnerëve, dhe kompanisë turke “Kurum International” sh.a, si burim i mbetjeve.
Ky rast ka shndërruar çështjen nga një problem administrativ mjedisor në një rrezik serioz për shëndetin publik dhe mjedisin, duke nxitur reagime dhe hetime të thelluara nga autoritetet shqiptare.









