Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, është liruar nga burgu këtë të shtunë, pas pranimit të kërkesës së tij nga trupi gjykues kompetent.
Sipas vendimit të datës 21 shkurt 2026, gjykata ka pranuar kërkesën e përsëritur të të pandehurit për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, e cila ishte caktuar me vendimin nr. 126, datë 20.10.2024 nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe ishte verifikuar me vendimin nr. 129, datë 22.10.2024.
Kërkesa e Çyrbjes u bazua në përfundimin e dënimit të dhënë me vendimin nr. 68, datë 03.11.2025, po nga e njëjta gjykatë.
Çyrbja u arrestua më 28 tetor 2024 dhe më pas u shpall fajtor, duke u dënuar me tre vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tij u ul në dy vite heqje lirie.
Ai u akuzua për veprat penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer më shumë se një herë, “Përkrahja e autorit të krimit”, po ashtu e përsëritur, si dhe për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Sipas akuzës, ish-deputeti informonte Altin Hajri dhe persona të tjerë në kërkim për operacione të mundshme policore në zonën e Durrësit. Në këmbim, sipas dosjes hetimore, ai kërkonte mbështetje me vota për kandidimin e tij në qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.









