Lavrov: Rasti Epstein zbuloi “fytyrën e vërtetë” të elitave perëndimore

Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, ka deklaruar se skandali i lidhur me Jeffrey Epstein ka nxjerrë në pah, sipas tij, natyrën reale të elitave perëndimore dhe mënyrën se si funksionon pushteti në Perëndim.

“Kjo temë ka ekspozuar fytyrën e vërtetë të asaj që quhet Perëndimi kolektiv dhe shteti i thellë – një aleancë që kërkon të kontrollojë botën,” u shpreh Lavrov në një intervistë. Ai përdori gjithashtu një gjuhë shumë të ashpër, duke e cilësuar fenomenin si diçka “përtej të kuptuarit njerëzor”.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur çështja Epstein vazhdon të gjenerojë debat ndërkombëtar për shkak të lidhjeve që financieri i ndjerë kishte me figura me ndikim nga politika, biznesi dhe bota e showbiz-it.

Jeffrey Epstein u arrestua në korrik 2019 në SHBA, i akuzuar për trafikim seksual të të miturve. Prokurorët amerikanë pretendonin se ai kishte organizuar abuzime me vajza të mitura për disa vite. Procedurat penale u mbyllën pasi Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në gusht 2019, në një rast të cilësuar zyrtarisht si vetëvrasje.

Rrethi i njohjeve të tij përfshinte ish-zyrtarë dhe figura të larta publike nga vende të ndryshme, çka e ka mbajtur çështjen në vëmendjen e mediave dhe politikës ndërkombëtare.