Kuba ka hyrë në një regjim të jashtëzakonshëm kursimi energjie, i njohur si “opción cero”, për shkak të mungesës së thellë të naftës dhe karburantit. Kriza është përkeqësuar pas ndërprerjes së furnizimeve nga Venezuela dhe Meksika, ndërsa autoritetet kubaneze flasin për presion të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Miguel Díaz-Canel bëri të ditur se qeveria do të zbatojë masa të ashpra për të garantuar funksionimin minimal të vendit dhe për të ruajtur sektorët jetikë të ekonomisë. Ndër vendimet kryesore janë:
- Reduktimi i javës së punës dhe i procesit mësimor në katër ditë, për të ulur konsumin e energjisë;
- Kufizime të forta në transportin publik ndërqytetas, me ulje të numrit të autobusëve dhe trenave;
- Shtyrje ose anulim i operacioneve jo urgjente në spitale;
- Mbyllja e disa hoteleve dhe strukturave turistike, për të kursyer energji dhe karburant.
Shitja e benzinës dhe naftës do të jetë e racionuar dhe do të përqendrohet kryesisht te prodhimi i ushqimit, furnizimi me energji elektrike dhe aktivitetet që sigurojnë të ardhura nga jashtë vendit.
Kuba importon rreth dy të tretat e energjisë që konsumon, ndërsa sektori i turizmit – një nga burimet kryesore të valutës së huaj – është në rënie, duke përkeqësuar situatën ekonomike. Organizatat humanitare paralajmërojnë për rrezikun e mungesave në ushqime dhe shërbime bazë.
Qeveria kubaneze ka deklaruar gatishmëri për dialog me SHBA-në, por vetëm pa kushte presioni, ndërsa vendi përpiqet të ruajë stabilitetin dhe funksionimin e shërbimeve thelbësore në një nga krizat më të rënda energjetike të viteve të fundit.









