Kim Jong-un raportohet se i ka besuar vajzës së tij drejtimin e programit raketor

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, thuhet se ka emëruar vajzën e tij 13-vjeçare, Kim Ju-ae, në një rol drejtues brenda programit raketor të vendit.

Lajmi është raportuar nga media e Koresë së Jugut “The Chosun Daily”, e cila citon burime qeveritare të njohura me informacionet e inteligjencës. Sipas raportimit, Kim Ju-ae shërben si drejtoreshë e përgjithshme e divizionit të raketave, megjithëse formalisht ky pozicion mbahet nga një tjetër zyrtar.

Burimet pretendojnë se vajza e liderit raporton drejtpërdrejt te gjeneralët dhe ka dhënë udhëzime në struktura të larta ushtarake. Inteligjenca thuhet se e ka regjistruar atë duke shprehur qëndrime mbi çështje të caktuara politike gjatë Kongresit të 9-të të Partisë së Punëtorëve, zhvilluar në Phenian.

Deri më tani, nuk ka pasur konfirmim zyrtar nga autoritetet e Koresë së Veriut lidhur me këto pretendime.