Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump për Gjendjen e Kombit është shoqëruar me tensione, protesta dhe reagime të forta nga demokratët në Kongres.
Udhëheqësi demokrat në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e cilësoi vitin e fundit të presidencës si “një katastrofë të plotë”, duke akuzuar Trump për përhapje gënjeshtrash, propagande dhe urrejtjeje. Sipas tij, administrata ka dështuar në përballimin e kostove të jetesës, ka rritur çmimet dhe ka dobësuar sistemin e kujdesit shëndetësor.
Edhe lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, e quajti fjalimin “të shkëputur nga realiteti”, duke thënë se presidenti po përpiqet të mbulojë dështimet dhe premtimet e pambajtura.
Momente tensioni u shënuan kur kongresmeni nga Teksasi, Al Green, u shoqërua jashtë sallës pasi mbajti një pankartë me mesazh kundër racizmit, në reagim ndaj një videoje të postuar më herët nga Trump për ish-presidentin Barack Obama. Green deklaroi se nuk do të tolerojë, sipas tij, gjuhën e urrejtjes në politikë.
Nga ana tjetër, ligjvënëset Ilhan Omar dhe Rashida Tlaib u larguan nga salla në shenjë proteste ndaj deklaratave të presidentit për komunitetin somalez. Disa demokratë të tjerë nuk morën pjesë në seancë.
Përgjigjen zyrtare të demokratëve e mbajti guvernatorja e Virxhinias, Abigail Spanberger, e cila akuzoi administratën për korrupsion, keqmenaxhim të ekonomisë dhe përçarje sociale. Ajo përmendi edhe paralajmërimet historike të George Washington mbi rrezikun e përçarjes politike.
Ndërkohë, senatori i Kalifornisë, Alex Padilla, kritikoi politikat e imigracionit të administratës, duke i cilësuar si të paligjshme dhe duke theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të mesmandatit për ndryshim politik.
Fjalimi i Trump, që zgjati rreth 1 orë e 48 minuta, u përqendrua në luftën kundër krimit në qytetet e mëdha, nevojën për masa më të ashpra ligjore dhe në përgatitjet për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Presidenti riktheu gjithashtu premtimin për një “Epokë të Artë” për Amerikën, duke theksuar arritjet historike dhe synimet për të ardhmen.









