Autoritetet gjermane kanë anuluar 8,232 leje qëndrimi për shtetas të huaj gjatë vitit 2025, një shifër më e ulët krahasuar me 9,277 raste të regjistruara në vitin 2024.
Të dhënat janë bërë publike përmes një përgjigjeje zyrtare të qeverisë së koalicionit të drejtuar nga kancelari Friedrich Merz, pas një pyetjeje parlamentare të raportuar nga media gjermane.
Sipas statistikave, numri më i lartë i urdhrave të dëbimit këtë vit ka prekur shtetas nga Gjeorgjia (671 raste), Shqipëria (661 raste) dhe Turqia (618 raste).
Të njëjtat vende kryesonin edhe në vitin 2024, kur shtetasit shqiptarë rezultuan me numrin më të lartë të rasteve, me 923 urdhra dëbimi.
Qeveria gjermane nuk ka bërë publike detaje të mëtejshme mbi kategoritë apo arsyet individuale të anulimit të lejeve të qëndrimit.









