Inaugurohet “Bordi i Paqes” i Trump për Gazën – realizohet fotoja familjare

Ka nisur në Uashington mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes, me publikimin e pamjeve të para nga fotoja familjare e liderëve që përfaqësojnë vendet pjesëmarrëse në këtë nismë.

Takimi po zhvillohet në ambientet e United States Institute of Peace, institucion që së fundmi është riemërtuar nga presidenti amerikan Donald Trump sipas emrit të tij.

Në këtë aktivitet marrin pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova. Shqipëria përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa Kosova nga presidentja Vjosa Osmani.

Sipas mediave të huaja, përveç Trump, fjalën do ta marrin të gjithë pjesëmarrësit, të cilëve u është caktuar një kohë prej dy minutash secilit për të adresuar mesazhin e tyre.

Të pranishëm në takim janë edhe figura të rëndësishme të diplomacisë amerikane dhe ndërkombëtare, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, këshilltarin Jared Kushner, ambasadorin e SHBA-së në OKB Mike Waltz, të dërguarin special Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair, si dhe Përfaqësuesin e Lartë Nickolay Mladenov.

Mbledhja pritet të fokusohet në çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe koordinimin e përpjekjeve për stabilitet dhe paqe në rajone të prekura nga konfliktet.