Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ndodhen në Uashington, ku po marrin pjesë në takimin e parë të Bordit të Paqes.
Në podiumin ku ishin rreshtuar liderë nga vende të ndryshme të botës, përfaqësuesit e Shqipërisë dhe Kosovës u shfaqën krah personaliteteve të tjera që iu përgjigjën ftesës së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e kësaj nisme që synon mbështetjen dhe ndihmën për Gazën.
Në përmbyllje të aktivitetit, Trump iu bashkua liderëve për realizimin e fotos familjare. Në pamjet e publikuara, shihet momenti kur presidenti amerikan shtrëngon duart me kryeministrin Edi Rama, një gjest simbolik në kuadër të këtij takimi ndërkombëtar.
Takimi i Bordit të Paqes konsiderohet si një iniciativë e re diplomatike, me fokus koordinimin e përpjekjeve ndërkombëtare për çështje të sigurisë dhe stabilitetit në rajon.









