“HAPEN” DYERT E BURGJEVE/ Drafti i Amnistisë Penale trondit sistemin: Lirohen të dënuar, ulen dënimet! – Ja kush del dhe kush mbetet pas hekurave

Një valë ndryshimesh të mëdha pritet të prekë sistemin penitenciar shqiptar, pasi është zbardhur drafti i ri i Amnistisë Penale, që parashikon lirime, ulje dënimesh dhe pezullime ndjekjeje penale për një pjesë të të dënuarve.

Sipas dokumentit në shqyrtim, të dënuarit me vendime të formës së prerë për vepra penale të kryera deri më 31 dhjetor 2025 mund të përfitojnë falje ose lehtësim dënimi. Burrat e dënuar deri në 3 vite burg dhe gratë deri në 4 vite, përfshirë edhe dënimet alternative si gjobat apo shërbimi në komunitet, hyjnë në kategorinë përfituese.

Lirim edhe për ata që janë ende në burg

Drafti shkon edhe më tej: të burgosurit që po vuajnë dënimin mund të dalin nga qelia nëse u kanë mbetur deri në 3 vite burg burrave dhe 4 vite grave. Në fokus janë edhe kategoritë sociale më të ndjeshme:

  • Të moshuarit (mbi 60 vjeç burrat, 50 vjeç gratë)
  • Personat që kanë qenë të mitur kur kanë kryer veprën penale

Por jo për të gjithë – lista e “të paprekshmëve”

Amnistia vendos një vijë të kuqe për krimet e rënda. Jashtë çdo përfitimi mbeten:

  • Të arratisurit dhe ata që i janë shmangur drejtësisë
  • Autorët e krimeve kundër jetës, krimeve seksuale dhe kundër njerëzimit
  • Të dënuarit për terrorizëm
  • Veprat që cenojnë rendin kushtetues dhe autoritetin e shtetit
  • Krimet zgjedhore dhe kundër demokracisë
  • Krimet e rënda ekonomike, ndaj mjedisit dhe pasurisë
  • Të dënuarit me burgim të përjetshëm
  • Personat nën hetim apo gjykim nga GJKKO

Ulje dënimesh edhe për ata që nuk lirohen

Edhe të dënuarit që nuk përfitojnë falje të plotë mund të marrin ulje dënimi:

  • Deri në 1 vit për burrat
  • Deri në 1.5 vite për gratë dhe të miturit

Për çështjet që janë ende në hetim apo gjykim, parashikohet edhe pezullim i ndjekjes penale, me përjashtim të krimeve të rënda.

Qëllimi zyrtar: më shumë rehabilitim, më pak mbipopullim në burgje dhe një sistem drejtësie më funksional.

Nëse miratohet, ligji hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Ky draft pritet të ndezë debat të fortë publik dhe politik, pasi prek drejtpërdrejt fatin e qindra të dënuarve.