Ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare Brad Arnold, këngëtari dhe themeluesi i grupit rock “3 Doors Down”. Lajmin e bëri të ditur vetë grupi muzikor, duke nënvizuar se Arnold u nda nga jeta pas një beteje të guximshme me kancer.
“Së bashku me bashkëshorten Jennifer dhe familjen pranë tij, ai u nda në paqe, i rrethuar nga njerëzit që e donin. Muzika e tij do të jetojë përtej skenës, duke krijuar lidhje dhe momente të paharrueshme mes njerëzve,” thuhet në deklaratën e grupit.
Arnold ishte diagnostikuar me kancer të veshkave në fazën e katërt në maj të vitit 2025 dhe për shkak të sëmundjes grupi detyroi të anulonte turneun e verës. Megjithatë, ai kishte deklaruar se nuk kishte frikë nga sfidat që i paraqiti jeta.
I lindur në Mississippi, Brad Arnold themeloi “3 Doors Down” në vitin 1996 së bashku me kitaristin Matt Roberts dhe basistin Todd Harrell. Grupi ka shënuar sukses ndërkombëtar me këngë si “Kryptonite”, hit i shkruar nga Arnold kur ishte vetëm 15 vjeç, dhe “Here Without You”.
Përveç karrierës muzikore, Arnold kishte folur hapur për betejën e tij me alkoolin, duke treguar se dekada e fundit pa alkool kishte qenë “vitet më të mira” të jetës së tij.









