Policia e Vlorës ka dhënë detaje paraprake për ngjarjen ku u dhunua avokati 55-vjeçar Kujtim Cakrani, mesditën e sotme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 në rrugën Transballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që avokati po furnizonte automjetin e tij me karburant. Sipas policisë, Cakrani u përfshi në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar, dyshohet për shkak të pozicionimit të automjetit dhe bllokimit të mjeteve të tjera. Situata u përshkallëzua dhe dy personat e përfshirë e goditën fizikisht avokatin.
Cakrani po merr ndihmë mjekësore në spital, ndërsa policia ka identifikuar automjetin me të cilin autorët u larguan. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe për kapjen e autorëve.









