Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e sotme në zonën e Gorellos, në Arezzo të Italisë, ku një 46-vjeçar shqiptar humbi jetën gjatë tentativës për t’u larguar pas një grabitjeje.
Viktima, Arben Kristo (Christea), u plagos rëndë pasi këmba iu ngul në një kunj hekuri të gardhit metalik që ishte vendosur për të mbrojtur të mbjellat nga derrat e egër. Si pasojë e plagës ai pësoi hemorragji fatale dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Sipas mediave italiane, dy persona të tjerë që ndodheshin me të u larguan menjëherë dhe nuk janë identifikuar ende.
Ngjarja ndodhi pasi një 76-vjeçar italian, pronari i banesës, dëgjoi alarmin dhe doli në ballkon, ku pa grabitësit duke u larguar. Ai mori armën që e posedonte me leje dhe qëlloi dy herë në ajër për t’i trembur, pa goditur askënd.
Hetimet paraprake tregojnë se viktima qëndronte ilegalisht në Itali dhe kishte precedentë për krime kundër pronës. Autoritetet po verifikojnë gjithashtu përfshirjen e tij në disa tentativa të tjera grabitjeje të raportuara më herët në zonë.









