Sipas raportimit të BBC, është arrestuar Andrew Mountbatten-Windsor, vëllai i King Charles III, nën dyshimin për shpërdorim detyre.
Autoritetet britanike bëjnë me dije se një burrë në të gjashtëdhjetat, nga Norfolku, është ndaluar këtë të mërkurë (19 shkurt) në kuadër të një hetimi për sjellje të keqe në detyrën publike. Policia konfirmoi se po kryhen kontrolle në disa prona në Berkshire dhe Norfolk, ndërsa i arrestuari ndodhet aktualisht në paraburgim.
“Si pjesë e hetimit, sot kemi arrestuar një burrë në të gjashtëdhjetat nga Norfolku me dyshimin për sjellje të keqe në detyrën publike. Po kryejmë kontrolle në adresa në Berkshire dhe Norfolk. Personi mbetet në paraburgim. Nuk do të bëjmë publik emrin e tij, në përputhje me udhëzimet kombëtare”, thuhet në njoftimin e autoriteteve.
Ndihmës Shefi i Policisë, Oliver Wright, deklaroi se hetimi është në fazë aktive dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së integritetit të procesit. “Është thelbësore të mbrojmë objektivitetin e hetimit, ndërsa bashkëpunojmë me partnerët tanë për të shqyrtuar këtë vepër të dyshuar penale”, u shpreh ai.
Arrestimi vjen në një kohë kur emri i Andrew është përmendur më herët në dokumente që lidhen me financierin e dënuar për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein. Ish-princi ka mohuar vazhdimisht çdo akuzë apo përfshirje në veprimtari të paligjshme.









