Një hetim për korrupsion në nivelet më të larta të qeverisë shqiptare ka përshkallëzuar tensionet politike në vend, duke nxitur protesta të dhunshme dhe duke vënë në pikëpyetje ambicien e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Zyra e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ngriti në dhjetor akuza ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke e dyshuar për ndërhyrje në procedurat e dhënies së dy tenderëve publikë në vitin 2021, me vlerë mbi 200 milionë euro.
Sipas aktakuzës, Balluku, në atë kohë ministre e Infrastrukturës, dyshohet se ka favorizuar kompani të caktuara në ndërtimin e një tuneli rrugor dhe një segmenti të Unazës së Tiranës. Dokumentet e siguruara nga Reuters përfshijnë edhe mesazhe të shkëmbyera mes saj dhe drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili gjithashtu është nën akuzë. SPAK pretendon se fituesi i njërit prej tenderëve ishte “i paracaktuar” dhe se janë krijuar avantazhe të padrejta.
Balluku i ka mohuar akuzat dhe është mbështetur publikisht nga kryeministri Edi Rama, i cili e konsideron atë një nga figurat kryesore të mazhorancës. Rama ka refuzuar dorëheqjen e saj dhe ka akuzuar prokurorët për tejkalim kompetencash. Ai madje ka paralajmëruar ndryshime ligjore për të mbrojtur ministrat nga pezullimi gjatë hetimeve, një lëvizje që opozita e cilëson si përpjekje për të mbrojtur qeverinë.
Ndërkohë, protesta të vazhdueshme kanë shpërthyer në Tiranë, ku mbështetës të opozitës janë përplasur me policinë pranë Kryeministrisë, duke hedhur molotovë, ndërsa forcat e rendit janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Zhvillimet vijnë në një moment delikat për Shqipërinë, e cila hapi negociatat me BE-në në vitin 2022 dhe konsiderohet një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit në Ballkan. Zyrtarë të BE-së në Tiranë kanë theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe respektimi i pavarësisë së drejtësisë janë thelbësore për përparimin drejt anëtarësimit.
Skandali i fundit, i kombinuar me akuza të tjera për korrupsion gjatë vitit të kaluar, paraqet një sfidë serioze për qeverinë Rama dhe për aspiratën europiane të vendit.









