Akuzohet për vrasjen e babait adoptues – një 11 vjeçar në Pensilvani do të përballet me gjykimin si i rritur

Një 11-vjeçar nga shteti i Pennsylvania është arrestuar dhe akuzohet për vrasjen e babait të tij adoptues pas një konflikti të dyshuar lidhur me një videolojë. Ngjarja ka ndodhur më 13 janar në zonën Duncannon, në veri të Harrisburg.

Sipas autoriteteve, i mituri, i identifikuar si Clayton Dietz, dyshohet se ka hapur një kasafortë brenda banesës ku ndodheshin një konsolë “Nintendo” dhe një armë zjarri, pasi kishte gjetur çelësat. Në dosjen gjyqësore thuhet se ai ka marrë revolverin, e ka mbushur me plumba dhe më pas është drejtuar drejt dhomës së gjumit ku ndodhej babai i tij adoptues, 42-vjeçari Douglas Dietz.

Sipas hetimeve paraprake, i mituri dyshohet se e ka qëlluar 42-vjeçarin në kokë ndërsa ai ishte në gjumë. Policia ka mbërritur në vendngjarje rreth orës 03:20 të mëngjesit, pas një telefonate që njoftonte për të shtëna me armë zjarri. Viktima u gjet me plagë të rëndë në kokë, ndërsa i mituri raportohet të ketë pranuar autorësinë në momentin e ndërhyrjes së forcave të rendit.

Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se kishte vepruar në gjendje zemërimi dhe pa menduar për pasojat.

Prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën për vrasje dhe ka vendosur që çështja të trajtohet në gjykatë si për një të rritur, një vendim që ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik. Rasti ka rikthyer në qendër të debatit në SHBA çështjen e aksesit të të miturve në armë zjarri, si dhe kufijtë ligjorë për gjykimin e fëmijëve në krime të rënda.