Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka zbuluar në një intervistë se presidenti Donald Trump ka zakone jo të shëndetshme ushqimore, duke konsumuar shpesh ushqime të shpejta dhe pije me gaz.
Sipas Kennedy-t, Trump preferon McDonald’s, karamele dhe Diet Coke, të cilën e pi vazhdimisht.
“Gjëja interesante te presidenti është se ai ha ushqim shumë të keq, si McDonald’s, dhe konsumon karamele e Diet Coke gjatë gjithë kohës”, u shpreh ai.
Duke folur për këtë mënyrë ushqyerjeje, Kennedy tha se i duket e pabesueshme se si presidenti është ende në gjendje të mirë shëndetësore.
“Nuk e di se si është gjallë, por ja që është”, tha ai.
Megjithatë, Kennedy theksoi se Trump gëzon një formë fizike shumë të mirë. Ai shtoi se Dr. Oz, pasi ka shqyrtuar të dhënat mjekësore të presidentit, ka deklaruar se Trump ka nivelin më të lartë të testosteronit që ka parë ndonjëherë tek një person mbi 70 vjeç.
“E di që presidenti do të jetë i lumtur që ta përsëris këtë”, përfundoi Kennedy.









