Shtetet e Bashkuara kanë nisur reduktimin e personelit në bazën ajrore Al-Udeid në Katar, bëjnë të ditur mediat amerikane duke cituar burime zyrtare, të cilat e cilësojnë këtë veprim si një masë paraprake sigurie.
Sipas një deklarate të qeverisë së Katarit, vendimi lidhet drejtpërdrejt me përshkallëzimin e tensioneve në rajon dhe situatën e paqëndrueshme të sigurisë në Lindjen e Mesme.
Zhvillimi vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi se SHBA do të ndërmarrë “masa shumë të forta” ndaj Iranit në rast se autoritetet iraniane vijojnë me ekzekutimin e protestuesve antiqeveritarë.
Nga ana tjetër, Teherani ka reaguar duke paralajmëruar kundërpërgjigje të menjëhershme nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime ushtarake kundër Iranit.
Sipas organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, mbi 2,400 protestues antiqeveritarë janë vrarë gjatë shtypjes së dhunshme të protestave nga autoritetet iraniane javët e fundit.
Baza ajrore Al-Udeid në Katar konsiderohet një nga instalacionet më të mëdha ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe ka një rol strategjik kyç në drejtimin e operacioneve ushtarake të SHBA-së në rajon.









