Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev ka hedhur deklarata provokuese, duke pretenduar se vendet evropiane nuk do të kenë asnjë mundësi reale për të kundërshtuar një skenar ku Shtetet e Bashkuara marrin nën kontroll Groenlandën.
Në një reagim me tone ironike në rrjetet sociale, Medvedev tha se mungesa e reagimit evropian në një rast të tillë do të krijonte një “precedent të madh evropian”. Ai komentoi edhe paralajmërimet e presidentit francez Emmanuel Macron, i cili ka deklaruar se çdo shkelje e sovranitetit të Groenlandës do të sillte pasoja serioze.
Duke iu referuar Macronit me gjuhë përçmuese, Medvedev ironizoi se Evropa nuk ka mjete reale për t’u përballur me SHBA-të. “Çfarë do të bëjnë? Do të rrëmbejnë presidentin amerikan apo do të godasin SHBA-të me armë bërthamore? Sigurisht që jo”, shkruan ai, duke shtuar se kontinenti do të tërhiqet pa rezistencë, duke ia lënë Groenlandën Uashingtonit.
Sipas Medvedevit, një zhvillim i tillë do të nxirrte në pah dobësinë e Evropës përballë fuqive të mëdha dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për rendin politik dhe strategjik evropian. Deklaratat vijnë në një moment kur tensionet mbi statusin e Groenlandës dhe interesat gjeopolitike në Arktik janë rritur ndjeshëm.









